Feronit Shabani, i njohur si “Fero”, është shndërruar në javët e fundit në subjekt diskutimesh pas njoftimit se ai ka vendosur t’i dedikohet islamit dhe të largohet nga muzika.
Lajmi mori vëmendje të madhe në media, të cilat publikuan këtë vendim dhe ndoqën çdo veprim të tij.
Por Kallxo. com zbulon se njëri nga njerëzit me të cilët po shoqërohet “Fero” këto ditë është një person i cili është dënuar nga gjykata për rekrutim të luftëtarëve të grupit terrorist ISIS.
Kallxo.com zbulon se Fero në “Tiktok” ka shpërndarë foto dhe video-materiale me Musa Ademin.
Musa Ademi është i dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Ferizajt për rekrutim për terrorizëm. Sipas dosjes, ai akuzohet se ka bërë propagandë intensive verbale dhe përmes rrjeteve sociale për veprimtarinë e ISIS-it dhe se ka blerë biletën e aeroplanit për personin B.F., i cili, sipas Prokurorisë, më 23 mars 2014 ka kryer sulm vetëvrasës në Irak duke vrarë 52 persona.
Reperi gjilanas Feronit Shabani, i njohur për publikun si “Fero”, ka tash e disa javë që ka njoftuar se nuk është pjesë e muzikës pasi që ka vendosur t’i përkushtohet fesë dhe islamit.
Ai madje në një njoftim publik në rrjete sociale tregoi se për shkak të disa problemeve të cilat i ka pasur kishte vendosur që t’i përkushtohej fesë islame dhe kishte filluar edhe që të predikonte fenë sipas udhëzimeve siç përcaktohen.
Ndalimi i muzikës në islam sipas tij ishte arsyeja pse “Fero” vendosi që të braktisë profesionin të cilin po e ushtronte tash e disa vite.
Të gjitha këto sqarime, “Fero” i bëri pasi doli nga paraburgimi në lidhje me veprën penale të dhunës në familje, ngjarje kjo e cila ndodhi në korrik të këtij viti. “Fero” dyshohej se pas një mosmarrëveshjeje verbale me bashkëshorten e tij e kishte sulmuar këtë të fundit edhe fizikisht.
“Fero” ishte arrestuar nga Policia e Rajonit të Gjilanit ndërsa Gjykata kishte vendosur që të aprovonte kërkesën e Prokurorisë që “Fero” të dërgohej në paraburgim nën dyshimet për dhunë në familje.
Ajo çka vihet në pah pas daljes nga paraburgimi të “Fero”-s është edhe ndryshimi i emrit për të cilin tashmë sipas tij ai ka një emër të bazuar në islam e që është “Khatab” ndërsa në rrjetet sociale vazhdimisht publikon fotografi me persona të ndryshëm e thënie islamike.
Kallxo.com ka vërejtur se një nga personat me të cilin po shoqërohet “Fero” pas daljes nga paraburgimi është edhe Musa Ademi, një i dënuar për rekrutim për terrorizëm në vitin 2016 nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Musa Ademi në një bisedë me Kallxocom ka thënë se nuk ka qenë ai personi që ka udhëzuar reperin që të përkushtohet në fe por se e njeh dhe herë pas herë takohen.
“Më herët nuk e kam njohur ‘Feron’ dhe nuk jam personi që jam bërë shkaktar që ai me praktiku islamin edhe pse kish qenë shumë privilegj me qenë po që nuk kam qenë unë. E ka përmend në një intervistë se ka nisë praktikimin e islamit gjatë qëndrimit të tij në burg pasi që ka pasur një mosmarrëveshjeje në familje”- tha Ademi.
Ademi tha se shoqërinë me “Fero”-n e ka të ngjashme më të gjithë të tjerët dhe nuk ka ndonjë shoqëri të veçantë vetëm për faktin se ai është një person i njohur për publikun.
“Tash takohemi herë pas here kur kemi kohë kështu që si me të gjithë shokët dhe kolegët nuk kam ndonjë afërsi me të e konsideroj vëlla mysliman si me të tjerët jo diçka të veçantë” – shtoi ai.
Ademi ishte dënuar me pesë vjet burgim nga Gjykata e Ferizajt në vitin 2016 për rekrutim për terrorizëm. Ai konfirmon për KALLXO.com se dënimin e ka mbajtur dhe se tani po vazhdon jetën e tij.
“Dënimin e kam përfundu, nuk më figuron asgjë në listën e sigurisë, kam udhëtu jashtë vendit, jam kthy, nuk kam ndonjë problem me ligjin, jam i punësuar që 4 vite, punoj e kam jetën time, familjen time, nuk kam asnjë problem me ligjin”- tha Ademi tutje.
Në Kosovë ka pak raste që sistemi i drejtësisë dënoi persona të cilët dyshohet se morën pjesë në rekrutimin e kosovarëve për terrorizëm. Një prej të dënuarve është edhe Musa Ademi, i cili ishte dënuar në vitin 2016 nga Gjykata Themelore e Ferizajt me 5 vjet burgim për veprën penale – rekrutim për terrorizëm.
Ademi ishte arrestuar në prill të vitit 2012 fillimisht për t’u dërguar në paraburgim, masë të cilën e mbajti për gati një vit deri në 27 mars 2013. Ai ishte vendosur në paraburgim edhe në shkurt të vitit 2015 ndërsa vendimi për dënimin me burg ishte shpallur një vit më vonë.
Prokuroria Speciale në vitin 2015 kishte ngritur aktakuzë ndaj Musa Ademit për rekrutim për terrorizëm, duke u bazuar në disa thirrje të tij për t’iu bashkëngjitur në organizatën terroriste ISIS.
Ademi në kohën kur ishte arrestuar nën dyshimin për këto veprime, kishte mohuar se kishte bërë thirrje të tilla.
Në anën tjetër reperi “Fero” në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë ka disa raste për të cilat dyshohet e madje edhe është dënuar.
KALLXO.com pati raportuar në vitin 2021 se Gjykata në Prishtinë e kishte dënuar me gjobë “Feron” për armëmbajtje pa leje. Në korrik të vitit të kaluar i njëjti ishte arrestuar nën dyshimin për sulm fizik ndaj një personi.
Në dhjetor të vitit të kaluar “Fero” ishte vënë në kërkim nga Policia për të shtëna me armë zjarri, ndërsa së fundmi në korrik të këtij viti ai u arrestua si i dyshuar për dhunë në familje.
Prokuroria Themelore e Gjilanit në një përgjigje për Kallxo.com ka konfirmuar se në këtë institucion janë katër aktakuza aktive ndaj reperit “Feros”.
Një aktakuzë është ngritur në shtator të vitit 2021 për lëndim të lehtë trupor, një tjetër më 5 gusht për sulm, një në janar të 2022 për lëndë narkotike dhe kjo e fundit për dhunën në familje, aktakuza e cila është ngritur më 31 korrik.