Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, e ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij ndaj Viktoria Plzenit. Ai ka parë gjëra të mira, ndërsa ka shprehur pakënaqësinë që Ballkani kishte ndeshje kampionale të dielën dhe kështu nuk kishte kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen e vështirë në Çeki.
“Në fazën e mbrojtjes kemi bërë goxha mirë. Kemi pasur edhe ne situatat tona. Me një kundërshtar si Plzeni, në stadiumin e tij, kemi bërë një ndeshje të mirë karshi një kundërshtari shumë të fortë”, ka thënë Daja për Art Motion. Ai ka përmendur forcën e Plzenit dhe ndryshimet e bëra në skuadrën e Ballkanit.
Daja ka theksuar se Ballkani në Evropë e përfaqëson futbollin kosovar. Ka thënë se është lokomotiva e Superligës dhe se duhet të ketë më shumë mirëkuptim për orarin. E ka pasur fjalën që Ballkani të dielën kishte ndeshje kampionale me Dukagjinin dhe kishte pak kohë për ta përgatitur udhëtimin në Plzen.
“Goli u shënua me devijim dhe fati ishte me kundërshtarin. Kam çka t’iu tregoj çunave. Ka shumë gjëra pozitive kjo ndeshje. Nuk fshihemi në fushë. E kontrollojmë topin më shumë se kundërshtari.
Rastet që i kemi krijuar ishin me qarkullim të topit. Kemi bërë gjithçka mirë në këtë ndeshje të vështirë”.
Ai ka thënë se Nazmi Gripshi ka pasur vështirësi të përshtatet në fushë, ndërsa ka lavdëruar lojën e Gentrit Halilit dhe Albin Berishës.