Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar sërish lidhur me sulmin e terroristëve serbë në veri të vendit, njofton Gazeta “Enigma”.
Sveçla përmes këtij njoftimi ka bërë të ditur se sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.
“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, tha Sveçla.
Sipas tij synimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit.
“Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë”, ka theksuar Sveçla.
“Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil”, thuhet në njoftimin e tij. /GAZETA ENIGMA/