Në një intervistë për gazetën zvicerane, Neue Zürcher Zeitung, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një ide e Serbisë.
“Ideja u soll në Kosovë nga Serbia”, pohon ai në këtë intervistë duke shtuar se kërkesa për një Asociacion të tillë “nuk vjen nga popullata serbe e Kosovës”.
“Ndërkaq, Beogradi thotë: Nuk do t’ju njoh kurrë – dhe kërkon që ky asociacion i komunave të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që shkel kushtetutën e Kosovës”, shton ai.
I pyetur për aksionin e grupit terrorist i financuar nga Serbia i cili fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtarë të saj, Kurti thotë se të dielën e 24 shtatorit ka ndodhur një akt agresioni që duhet dënuar “nga të gjithë aleatët, miqtë dhe partnerët tanë në BE dhe NATO”.
“Serbia po përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Grupi paraushtarak është padyshim një grup i padëshiruar i Wagner, armatimi i të cilit është atipik për policinë. Stërvitja e luftëtarëve me shumë mundësi është zhvilluar në Serbi”, shpjegon më tej ai, përcjell Albanian Post.
Duke komentuar ngjarjet në Manastirin e Banjskës, Kurti thotë se përshkallëzimi është një pikë kthese në marrëdhëniet me Serbinë.
“Sigurisht që është. Do të ketë një para dhe një pas 24 shtatorit, sepse diçka e rëndësishme ka ndryshuar”.
I pyetur për takimet që ai zhvillon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, Kurti thotë se ndonjëherë bisedat me të janë mjaft të qeta, por ndonjëherë edhe polemika mjaftë të ashpra.
“Por, sido që të ishte tema, në çfarë situate ishim, nuk e ngrita kurrë zërin. Nuk e lashë asnjëherë mbledhjen sepse ka njerëz që largohen nga takimi. Dhe unë kurrë nuk thashë asnjë fjalë të vetme që fëmijët nuk u lejuan ta dëgjonin”.