Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar disa nga kandidatët për zgjedhjet komunale, raporton Gazeta Enigma.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka sqaruar arsyen që Agim Veliu nuk është kandidat në zgjedhjet e këtij viti për komunën e Podujevës.
Ai ka thënë se Veliu nuk ka shprehur ambicie për të qenë kandidat.
“Ne kemi zgjedhur kandidatët që kanë gjasa më të larta dhe Veliu nuk ka shprehur ambicie për të qenë kandidat për kryetar të komunës, kemi zgjedhur Hysenin që do ta rikthejë Podujevën sa më parë. Të tjerët do zyrtarizohen në ditët në vijim”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.
Abdixhiku ka shtuar se pritshmëritë e partisë për këto zgjedhje janë të lartë, ndërsa u shpreh bindshëm në fitoren e shumicës së komunave.
“Besojmë se do të jemi fitues në pjesën më të madhe të komunave. Kemi organizim të jashtëzakonshëm nëpër degët tona, kemi frymë të rikthimit të LDK-së. Rezultati do të jetë padyshim pozitiv”, ka thënë ai.
Abdixhiku u përgjigj edhe për rikandidimet, për të cilat tha se komunat në të cilat kanë udhëhequr deri tash e kanë pasur “udhëheqjen më të mirë që e ka pasur Kosova”./Gazeta Enigma/