Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e 26-të të protestës studentore ka bërë homazhe te varri i profesorit dhe ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.
Ai homazhe ka bërë së bashku me Bujar Dugollin, Driton Lajçin, Hajrullah Koliqin, Lulëzon Jagxhiun, Jeton Rexhën dhe Atdhe Hykollin.
Kurti ka thënë se profesori Statovci ka lartësuar Universitetin e Prishtinës edhe në aspektin ndërkombëtar, por edhe në aspektin politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira.
“Bashkë me Bujar Dugollin, Driton Lajçin, Hajrullah Koliqin, Ahmet Gecën, Lulëzon Jagxhiun, Jeton Rexhën, Atdhe Hykollin, erdhëm këtu tek varri i profesor Ejup Statovcit, Rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte rektor për gjashtë vite të jashtëzakonshme kur edhe Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme. E sot e kemi 26-vjetorin e asaj proteste demonstrate historike të studentëve që i ka aq shumë borxh profesor Ejupit, andaj vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderim tek varri i tij për të treguar se nuk e harrojmë atë datë dhe i kemi aq shumë borxh këtij Profesori e Rektori i cili Universitetin e Prishtinës e lartësoi edhe në aspektin ndërkombëtar, por po poashtu edhe atë politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira. Lavdi veprës dhe jetës së Profesor Ejup Statovcit!” – ka thënë Kurti.