Kurti për mediumin boshnjak: Serbia e kuptoi që bandat e tilla terroriste s’kanë asnjë shans me policinë tonë

Kurti për mediumin boshnjak: Serbia e kuptoi që bandat e tilla terroriste s’kanë asnjë shans me policinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për mediumin boshnjak “Hayat TV” lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit. Mes tjerash, Kurti deklaroi se grupet kriminale ishin të sponsorizuara direkt nga Beogradi përmes mbështetjes politike dhe logjistike, si dhe armë dhe stërvitje ushtarake.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se sulmet terroriste të 24 shtatorit cenuan “integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues dhe publik të Kosovës”.

Ai u shpreh se Beogradi kishte dhënë urdhrin për sulmin në Kosovë, por se ata kishin humbur betejën kundër policisë së Kosovës, duke i karakterizuar sulmuesit si forca profesionale të trajnuara jashtë vendit.

“Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Mos harroni se këto nuk janë banda kontrabandë dhe as qytetarë të thjeshtë që kanë rrokur armët. Këto janë forca profesionale që kanë luftuar kushedi ku më parë dhe tani kanë ardhur të luftojnë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se shpreson që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë për t’ia dorëzuar terroristët autoriteteve kosovare.

“Ne po llogarisim gjithashtu në presionin e bashkësisë ndërkombëtare për t’ia dorëzuar këta kriminelë dhe terroristë autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet të dorëzojë anëtarët e tjerë që nuk janë vrarë dhe që nuk janë arrestuar në vuajtje të dënimit pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentoi ta destabilizonte Kosovën”, deklaroi më tej kreu i qeverisë.

Kurti tha gjithashtu se Vuçiq u takua me ambasadorin rus në Beograd vetëm një ditë pas sulmit të së dielës, duke sugjeruar përfshirjen e Moskës në sulme.

“Me siguri në të gjitha këto është përfshirë Moska sepse një ditë pas sulmit terrorist në vendin tonë, presidenti i Serbisë takoi në Beograd Aleksandar Bocan-Kharchenko, ambasadorin rus në Beograd, i cili erdhi në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 26 shtator 2021 dhe aty për të inspektuar rigrupimin e forcave të ndryshme ushtarake dhe pajisjen e ushtrisë serbe ndërsa mbi kokat e tyre ishte një MiG-29 që ishte dhuratë nga Federata Ruse apo Bjellorusia për Serbinë”, tha Kurti.

Related Articles