Anulohet gjykimi për tenderin e autostradës së Gjilanit

Anulohet gjykimi për tenderin e autostradës së Gjilanit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të grupit të ekspertëve është anuluar gjykim për tenderin e autostradës së Gjilanit, pasi që të njëjtit kanë kërkuar kohë shtesë për përpilim të superekspertizës.

Në këtë rast për korrupsion po akuzohen ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarët tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga gjykatësi i rastit Musa Konxheli, i cili po ashtu njoftoi se seancat e radhës do të caktohen pasi që do të dorëzohet suprekspertiza.

Ndryshe në seancën e kaluar trupi gjykues kishte vendosur që të përpilohet një superekspertizë pas ekspertizave kundërthënëse të bërë nga prokuroria dhe pala mbrojtëse.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 shkurt 2021, Reçica po akuzohet se në cilësinë e ushtruesit së detyrës së drejtorit te Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionít Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas aktakuzë, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues operatorin ekonomik “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se OE & GP& “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”, me çka për këtë shumë ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 431, par.1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tetë vjet.

Tutje sipas aktakuzës, Reçica më 2 tetor 2019 në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte nxjerrë vendim me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për 14 zyrtarë të kësaj ministrie, edhe pse të njëjtit ishin të angazhuar në detyra të rregullta zyrtare, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 9,049 euro.

Në këtë pikë të aktakuzës, mbi Reçicën rëndojnë akuzat se në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër, duke nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e Projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj.

Sipas aktit akuzues, me vendimin e nxjerrë nga Reçica më 11 qershor 2019, zyrtari i MI-së, Hysen Merovci ishte kompensuar në vlerë prej 800 euro, ndërsa Ardian Begaj në vlerë prej 600 euro, në mënyrë retroaktive që nga data 7 qershor 2018, me ç’rast këta dy zyrtarë përfituan kundërligjshëm shumën prej 8 mijë e 838 euro, e për këtë është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës.

Ndërsa, aktakuza thotë se me vendimin e nxjerrë nga Reçica të 14 gushtit 2019, kundërligjshëm dy zyrtarët e MI-së, Hysen Merovci e Ardian Begaj janë kompensuar financiarisht me shtesa në pagë, duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punës, pra për Merovcin që nga muaji maj i vitit 2010, kur i njëjti është punësuar dhe për Begajn që nga fillimi i vitit 2010, kur ky po ashtu është punësuar, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68 mijë e 500 euro.

Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”, nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Reçica ngarkohet edhe për shpëlarje të parave, ai akuzohet se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturën “Audi F2 S7 Sportback”, të prodhuar në vitin 2019, të cilën veturë me qëllim të fshehjes së të ardhurave të krijuara me vepër penale e ka regjistruar në emër të vëllait të tij, Bekim Reçica.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 308 të Kodit Penal, lidhur me nenin 56, par. 1, nënpar. 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit.

Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen nga PSRK-ja se Isa Berisha, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Rivlerësues në MI, Leonora Limani dhe Mirdit Emini në cilësinë e anëtarëve të atij komisioni, të themeluar nga Sekretari i përhershëm i ministrisë, më 21 nëntor 2017, për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata akuzohet se kishin shpallur fitues për Lot I (një) operatorin ekonomik “Graniti Inginiering” & “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18 milionë e 468 mijë e 426 euro 58 centë e jo operatorin ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI” që kishte ofertuar me çmimin 16 milionë e 24 mijë e 128 euro e 28 centë, i cili ishte më i ulët për 2 milionë e 444 mijë e 298 euro e 38 centë, e pastaj për Lotin -II- (dy) shpallën fitues operatorin ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo operatorin ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T”, që kishin ofertuar me çmimin 4 milionë e 275 mijë e 806 euro e 22 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milionë e 630 mijë e 487 euro e 45 centë.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Berisha, Limani e Emini, kishin shpallur fitues për Lot IV (katër) Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofertuar me çmimin 8 milionë e 700 mijë e 127 euro e 36 centë, e jo operatorin ekonomik “PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI”, që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 784 mijë e 756 euro e 72 centë, i cili ishte më i ulët për 915 mijë e 370 euro e 64 centë, pastaj për Lot VI (gjashtë) shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo operatorin ekonomik “SALLAHU”, i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.

Po ashtu, për Lot VII (shtatë) të akuzuarit e lartcekur shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 247 mijë e 86 euro e 87 centë, e jo operatorin ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6 milionë e 147 mijë e 674 euro e 16 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milionë e 99 mijë e 412 euro e 71 centë, pastaj për Lot VIII (tetë) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 913 mijë e 157 euro e 91 centë, e jo operatorin ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY”, që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 571 mijë e 113 euro e 42 centë, i cili ishte më i ulët për 342 mijë e 44 euro e 49 centë, ashtu që përfitimi në total i operatorëve ekonomik ishte 88 milionë e 618 mijë e 511 euro e 95 centë, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6 milionë e 200 mijë e 313 euro e 13 centë.

Me këto veprime, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion’” nga Tirana, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetenca e përcaktuara me ligj, në atë mënyre që më 21 nëntor 2017, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion’” e ka shpall të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i tillë dhe e ka ditur se OE “2Agroup & Alko IMPEX &EX FIS&2T” kanë ofertuar me çmim më të lirë, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 1 milionë e 630 mijë e 48 euro e 45 centë.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Betim Reçica se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Related Articles