Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch, ka thënë se prezenca e KFOR-it e ka ndaluar përshkallëzimin drejt një situate më të rëndë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh serb.
Munsch tha se KFOR-i vazhdon të operojë në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke shtuar se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX.
Në një intervistë për Kohën Ditore, Munsch tha se prania e trupave të KFOR-it në ditën kritike të 24 shtatorit ka ndihmuar në ndalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.
“Kjo çështje është trajtuar nga Policia e Kosovës, e cila është reaguese e parë në këto çështje. KFOR-i u koordinua ngushtë dhe ndihmoi për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. KFOR-i vazhdon të operojë në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si reagues të parë, të dytë, përkatësisht të tretë. KFOR-i ka një prani të dukshme dhe të shkathët në terren për të trajtuar çdo situatë të sigurisë.”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, ai ka theksuar se hetimet rreth rastit, përfshirë rrethanat si u fut grupi i armatosur dhe armatimi i rëndë, i bën Policia e Kosovës dhe jo forca e NATO-s, e cila në Kosovë vepron sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara që i kishte dhënë fund luftës në Kosovë.
“Origjina e armëve ilegale të konfiskuara nga policia e Kosovës është duke u hetuar nga Policia e Kosovës. Mandati i KFOR-it nuk përfshin aktivitetet e zbatimit të ligjit. Këto janë prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”, ka potencuar Munsch.