Shtëpia e Bardhë shpalli zyrtarisht planet për blerjen e 500 milionë dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit dhe dhurimin e tyre te programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njofton Gazeta Enigma.
Ky program shpërndan vaksina në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti amerikan, Joe Biden, do ta shpallë këtë zotim përpara samit të grupit të vendeve më të industrializuara, G7, i cili i hap punimet të premten në Kornuoll të Anglisë.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë plan si “një veprim historik, që do të ndihmojë luftën globale kundër pandemisë”.
Biden, i cili ndodhet tashmë në Kornuoll, dha shenja për planin përpara se të nisej të mërkurën drejt Evropës, duke u thënë gazetarëve se do të shpallë një strategji vaksinimi për botën.
Biden ka qenë nën presion për të trajtuar mungesën globale të vaksinave kundër koronavirusit dhe pabarazitë në vaksinim midis vendeve të pasura dhe të varfra.
“Presidenti Biden gjithashtu do t’u bëjë thirrje demokracive në botë, që të kontribuojnë në furnizimin global me vaksina të sigurta dhe efektive”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 200 milionë doza – të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz – që do të shpërndahen këtë vit, nisur nga muaji gusht.
Kontingjenti tjetër prej 300 milionë dozash do të shpërndahet në gjysmën e parë të vitit 2022.
Të 500 milionë vaksinat do të jenë Pfizer/BioNTech dhe do të prodhohen në objektet e Pfizer-it në Shtetet e Bashkuara./Gazeta Enigma/