Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka bërë me dije se masat ndaj Serbisë si përgjigje për agresionin e 24 shtatorit ndaj Kosovës janë gati.
Ajo ka thënë se nuk mund të japë detaje për arsye se është çështje konfidenciale dhe nën diskutime.
“Çfarë mund të konfirmoj është se masat me të vërtetë janë në tavolinë dhe topi është në anën e Serbisë”, ka thënë Von Cramon për Nova.
“Këtu dua të jem e qartë kristal – këto nuk janë sanksione evropiane, sepse atëherë ato do të duhej të miratoheshin unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit”.
Ajo ka thënë se bëhet fjalë për masa që miratohen edhe zbatohen nga Komisioni Evropian, me propozimin e Këshillit.
“Tani është absolutisht në duart e tyre dhe më lejoni të theksoj se Parlamenti Evropian nuk ka rol në këtë. Në esencë, nëse ato miratohen, ato do të jenë masa reciproke sikur ato që janë tani ndaj Kosovës – mungesë takimesh me krerët evropianë dhe anulim i fondeve të IPA-s”.