Deputetja britanike: Serbia të dorëzojë Radoiçiqin institucioneve kosovare të drejtësisë

Deputetja britanike: Serbia të dorëzojë Radoiçiqin institucioneve kosovare të drejtësisë

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, sërish ka ngritur zërin për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Në një lidhje direkte me AtlanticCouncil, Kearns ka thënë se është zhgenjyese se si BE-ja ende nuk ka reagim të arsyeshëm për rastin.

Tutje ka kërkuar që Serbia të dorëzojë Radoiçiqin institucioneve kosovare të drejtësisë.

“Ne e kemi parë se çfarë ka ndodhur, në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës. Por jemi  thellë të zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të përgjigjes perëndimore ndaj një përshkallëzimi tjetër nga Serbia. Për këtë edhe Britania e Madhe ka dërguar trupa shtesë në Kosovë. Beogradi duhet të dorëzojë Milan Radoiçiqin në mënyrë që ai të gjykohet në Kosovë”, u shpreh Kearns.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se autoritetet serbe do të ngrenë aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit, pasi të përfundojnë hetimet që janë duke u zhvilluar kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës.

“Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë. Kjo do të tregojë se prej nga kanë ardhur paratë dhe armët e paligjshme. Zbulimi i kësaj është obligimi ynë ndërkombëtar dhe kjo do të bëhet”, tha Vuçiq më 11 tetor, gjatë një vizite në një institut mjekësor në Beograd të Serbisë.

Related Articles