Përfaqësuesja e Zvicrës nuk ka arritur më shumë se një barazim 3-3 ndaj Bjellorusisë të dielën mbrëma.
E kjo ndeshje do të mbetet e veçantë për mesfushorin shqiptar Granit Xhaka, pasi ai ka arritur një rekord të madh te përfaqësuesja helvetike.
Ndeshja ndaj Bjellorusisë për Xhakën ishte e 118-ta në karrierë me Përfaqësuesen A të Zvicrës, duke barazuar rekordin me ish-legjendën Heinz Hermann.
Para ndeshjes Xhaka u nderua edhe nga federata e futbollit zviceran për këtë arritje të madhe në karrierën e tij, teksa ai ka debutuar me helvetikët në moshën 18 vjeçare.
Xhaka ka shkruar në llogarinë e tij në Instagram se është nder i jashtëzakonshëm për të që ka arritur një rekord të tillë.
“Çfarë nderi i jashtëzakonshëm të bëhesh rekordmen në Përfaqësuesen e Zvicrës së bashku me të madhin Heinz Hermann”.
“Një falënderim i madh për të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur. Familja, miqtë, trajnerët, stafi dhe shokët e skuadrës. Pa ju nuk do të ishte e mundur të arrinim 118 paraqitje për Zvicrën”.
“Dhe një falënderim i veçantë për tifozët. Është gjithmonë një privilegj i madh të luash për Zvicrën dhe para jush”, ka shkruar Xhaka.
31-vjeçari së bashku me Heinz Hermann kanë nga 118 paraqitje, derisa i treti është Xherdan Shaqiri me një ndeshje më pak.