Osmani: KPK le të përgjigjet se pse ua hoqën fletarrestet njerëzve të Vuçiqit

Osmani: KPK le të përgjigjet se pse ua hoqën fletarrestet njerëzve të Vuçiqit

Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të përgjigjet se pse ua hoqën fletarrestet njerëzve të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Osmani tha se këtë përgjigje nga Këshilli Prokurorial i Kosovës e presin qytetarët e Kosovës.

“Ja kanë borxh këtij shteti, jo vetëm borxh juridik por edhe moral të këtij shteti se si është e mundur që sot në vitin 2023, 25 vite pas lufte të bijnë në presionin e bandave serbe të cilat udhëhiqen nga Vuçiqi. Vuçiqin e kanë ata shef. Kështu patriotizëm të tillë mua nuk mund të më shesin, le të përgjigjën njëherë se pse ua hoqën fletarrestet e njerëzve të Vuçiqit, kjo është përgjigja të cilën e presin qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës pyeti se si është e mundur që të lejohet që një udhëheqës i bandave kriminale në veri të determinojë procese juridike në Prishtinë.

“Është fatkeqësi për këtë vend që edhe pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, ku një hero i këtij vendi, ku një polic e ka humbur jetën në luftë me këto banda të udhëhequr nga persona të cilëve ua kanë larguar fletarrestet, akoma ne nuk kemi përgjigje nga sistemi prokurorial, si u bë? Pse i kanë bërë presion këtij prokurori paraprak që të hiqet fletarresti? Si është e mundur që 25 vite pas luftës të lejohet një udhëheqës i bandave kriminale nga veriu të determinojë procese juridike në Prishtinë, si është e mundur?”, tha Osmani.

Tutje, Osmani përmendi edhe rreshterin e vrarë Afrim Bunjaku, nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

“Një familjar ka lënë grua e fëmijë e shumë familjarë mbrapa për shkak se udhëheqësi i këtyre bandave kriminale që me krenari e pranon fajin ka qenë i liri dhe e ka organizuar për vite e vite me radhë këtë sulm për të cilin fletarresti ka qenë i anuluar për arsye taktike”, shtoi ajo. /BetimipërDrejtësi

Related Articles