Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit Ardjent Neziraj për veprën penale, “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se pas shqyrtimit fillestar, ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, i shqiptoi Nezirajt dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej pesë vjet e tre muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 25 maj 20203.
“I pandehuri A.N., akuzohet se “me 25 maj 2023 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin F.N., meqë djali i tij A., dite më parë e kishte marrë për grua bashkëshorten e të pandehurit. Ditën kritike i pandehuri ka marrë revolen e tipit Ekol Tuna të kalibrit 6.35×15 mm, ka dalë në qytet dhe me të takuar të dëmtuarin F.N., rreth orës 12:20 min i cili po vinte rrugës përballë tij me biçikletë në dorë, i pandehuri ndalet, kthehet prej tij dhe i thotë “ku je mar p… nënës tone”, e nxjerrë revolen nga xhepi, dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë në të duke e mbajte armën në dorë derisa i dëmtuari ikë dhe futet me të shpejtë në një lokal. Më pastaj i pandehuri largohet me të shpejtësi nga aty ndërsa i dëmtuari për shkak të plagëve të marra dërgohet për ndihmë të shpejtë në spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, i cili më pas trajtimit, nga ekzaminimi mjeko-ligjor ka rezultuar me lëndime të lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit”. Konfiskohet një pistoletë gjysmë automatike, e kalibrit 6.35×15 mm, së bashku me dy fishekë 6.35×15 mm dhe një brisk, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.