Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka folur për takimet e të enjtes në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Kreu i shtetit të Francës ka thënë se nga Kurti dhe Vuçiq kanë marrë qëndrime të qarta për gatishmërinë e tyre që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit si dhe themelimin sa më të shpejt të Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe.
“ Nga Kurti dhe presidenti Vuçiq dje morëm deklarata të qarta për gatishmërinë e tyre për zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, si dhe për themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit”, ka thënë Macron.
Macron theksoi se BE dëshiron që kjo të bëhet realitet tani dhe që normalizimi i marrëdhënieve të vazhdojë.
Ai gjithashtu ka thënë se kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit dhe kanë kërkuar nga Vuçiq masa të qarta dhe hetim.
“Ne e dënuam sulmin e 24 shtatorit dhe kërkuam masa të qarta dhe hetim nga presidenti Vuçiq”, theksoi Macron.