Sot u raportua për arrestimin e dy personave në Zubin Potok, që dyshohet se përfituan kundërligjshëm për vite me radhë duke e detyruar një 42-vjeçar t’iu paguajë haraç çdo muaj. Ata bashkë me një të dyshuar tjetër, i cili ndodhet në arrati, po hetohen nga Prokuroria, nën dyshimet për veprën penale “Detyrimi”.
Siç mëson Sinjali, dy të dyshuarit që ndodhen në ndalim policor për këtë rast janë Uros dhe Milovan Bozoviq (vëllezër), ndërsa i dyshuari që është shpallur në kërkim policor është Slobodan Soverliq.
Rasti u zbulua pasi viktima (emër i njohur për redaksinë), i nacionalitetit serb, ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer se si të dyshuarit i kanë kërkuar haraç dhe e kanë detyruar të paguajë për vite me radhë.
Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e 42-vjeçarit, të dhënë para hetuesve policorë, gjithë kjo ka ndodhur pasi personat e dyshuar e kanë akuzuar se po bashkëpunon me shqiptarët në veri – përmes bizneseve të tij.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast pritet të konfirmohen ose jo pretendimet e viktimës dhe të zbulohen rrethanat e rastit.
Edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë të Veriut e kanë konfirmuar rastin, por nuk janë dhënë detaje të tjera.