Mali i Zi me Qeveri të re – Çfarë ndikimi mund të ketë ky ekzekutiv në raport me Kosovën?

Mali i Zi me Qeveri të re – Çfarë ndikimi mund të ketë ky ekzekutiv në raport me Kosovën?

Pas negociatash disa javore, parlamenti i Malit të Zi emëroi një qeveri të re, një koalicion partish pro-evropiane dhe pro-serbe që pritet të udhëheqë vendin me misionin kryesor për tu integruar në Bashkimin Evropian, siç edhe deklaroi kryeministri i ri, Milajko Spaji, shkruan Gazeta Enigma.

Qeveria e re, e udhëhequr nga ekonomisti Milojko Spajiç, i lëvizjes ‘Evropa Tani’, do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. Qeveria do të përfshijë Demokratët Pro-Evropianë të qendrës së djathtë, Partinë Popullore Socialiste Pro-Serbe dhe pesë parti të pakicës shqiptare.

“Katër përparësitë tona kryesore të politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë; në BE, anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, përmirësimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe forcimi i rolit të vendit në organizatat shumëpalëshe,” u tha Spajiç deputetëve.

Spajiç ndër të tjera u deklarua se: “Vizioni ynë është Mali i Zi si Zvicra e Ballkanit dhe Singapori i Evropës”.

Por si do ndikoj kjo përbërje e re e Qeverisë së Malit të zi në raport me Kosovën?

Vend në qeverinë e re malazeze kanë zënë edhe tre shqiptarë, ku zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik është emëruar Nik Gjeloshaj.

Shqiptarët në këtë qeveri udhëheqin edhe me dy ministri, atë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në krye me Fatmir Gjekën dhe Marash Dukajn i cili është emëruar ministër i Administratës Publike.

“Një qeveri pro-ruse, pro-serbe, faktikisht anti-Kosovë”

Politologu, Mazllum Baraliu, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka cilësuar se në parim, qeveria e re malazeze është pro-ruse dhe pro-serbe, rrjedhimisht anti-Kosovë.

“Një qeveri pro-ruse, pro-serbe, faktikisht në esencë anti-Kosovë, duke filluar nga qeveria, kryeqeveritari e deri te kryekuvendari. Është thjesht diçka që nuk është në favor të rrjedhave që do të duhej të ishin në Ballkanin Perëndimor, pra evropiane, ani që ata janë deklaruar ‘kjo është partia Evropa Tani’, po në fakt, ata dy eksponentë janë eksponentë të Krivokapiqit, edhe kryetari i tanishëm, presidenti, edhe kryeministri. Krivokapiqi është njeri i kishës ortodokse serbe dhe pro-serb, pro-rus”, ka thënë Baraliu.

Baraliu i pyetur nga Gazeta Enigma se si e vlerëson faktin se tre ministri do të udhëheqin nga shqiptarët dhe a do të ndikojë ky fakt që të ketë një stabilitet në raport me Kosovën, ai ka theksuar se mund të ketë stabilitet qeveritar, mirëpo thekson se qeveria në fjalë në esencë udhëhiqet nga një frymë pro-ruse dhe serbe.

“Po, për stabilitet qeveritar mundet, por në fakt ajo forca kryesore që e ka për tridhjetë vite, përkundër gabimeve, lëshimeve, korrupsionit e tjera, e ka udhëhequr vendin, e ka orientuar në drejtim proevropian, prointegrativ. Ajo tash, me njëzet e sa deputetë, është në opozitë edhe tani janë forca tjera, forca faktikisht pro-ruse, pro-serbe në esesncë, të cilat e kanë marrë drejtimin dhe do të shohim kah do ta mbajnë, por jam i sigurt që në esencë ato janë më pak pozitive, më pak pro-evropiane sesa që do të duhej, dhe këto partitë shqiptare që kanë hyrë edhe më herët, kanë qenë në këto tri vite, kanë qenë me këto parti pro serbe, pro ruse në qeverisje, dhe tani kanë hyrë përsëri me një orientim tjetër, të cilin kinse e kanë shpallur pro-evropian, por në fakt është rryma pro-ruse, pro-serbe”, theksoi Baraliu.

Baraliu vlerëson se përfshirja e shqiptarëve në qeverinë malazeze, është vetëm një nevojë e asaj qeverie që të ketë numrat e nevojsëm për ta mbajtur në fuqi këtë qeveri.

“Marrja e këtyre vendeve që nga zëvendëskryeministri edhe dy ministri tjera nga partisë shqiptare janë krejt floskula politike dhe vende të parëndësishme në sens, por është e rëndësishme për numra që kjo qeveri tani ka diku rreth dyzet e tetë – dyzet e nëntë vende, numra për të mbajtur qeverinë në fuqi, sepse kjo qeveri megjithatë është qeveri e pakicës dhe Mali i Zi duhet të ditur dhe kuptuar të gjithë se është në krizë të vazhdueshme që kaq vite dhe edhe tani me këtë qeverisje nuk është që krijohet ndonjë stabilitet afatgjatë, ose mund të pretendohet dhe mund të supozohet ai stabilitet”, ka thënë Baraliu për Enigmën.

Politologu Baraliu, ndër të tjera ka theksuar se është e nevojshme që të shohim se sa do të jenë të fuqishme ndikimet e faktorit perëndimor për të mbajtur frymën pro-evropiane te kjo qeveri.

“Mund të shohim ndikimet sa do të jenë të fuqishme, ndikimet nga faktori perëndimor, sa do të jenë seriozë ata e të jenë të pranishëm dhe të jenë ndikues që të mos lejojnë të ndërrohet kursi pro-evropian, pra me ndonjë kurs tjetër pro-lindor, pro-rus, pro-serb, që në fakt në esencë duhet ta kenë këto parti që kanë marrë pushtetin, atëherë varet nga kjo se sa do të kenë stabilitet dhe sa do të ketë orientim pro-evropian ose jo”, theksoi Baraliu. /Gazeta Enigma/

Related Articles