Minatori i ‘Trepçës’, Sami Peci, duke folur para deputetëve të Komisionit për Ekonomi, i emocionuar ka kërkuar ndihmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për të bërë zgjidhje për kërkesat e minatorëve.
Sindikalistë të ‘Trepçës’ aktualisht janë duke raportuar në lidhje me grevën e tyre, në Kuvendin e Kosovës.
“Shpëtona jetën tonë. Leni inatet mes vete sepse minutat janë në pyetje. Hajdeni me neve kemi me shku prej këtu deri në minierë. Bëne grupin sa më shpejtë ju kisha lutë sepse situata është shumë e rënduar” – ka thënë minatori Peci nën lot.
Kurse deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se të rrezikohet jeta e minatorëve, sipas tij, është e pakuptimtë.
“Nuk ka detyrë më primare se kabineti qeveritar të mblidhjet e të realizojë kërkesat e juaja legjitime. Është për të ardhur keq kur ministrja nuk vjen në komision qe kemi kërku dhe gjen shkak që është jashtë vendit. Sipas informacioneve që kam ajo e ka thirrë kryeshefin në ministri dhe zyrtarisht na thotë që është jashtë vendit” – tha Lekaj.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ishte paraparë që të raportoi sot para Komisionit për Ekonomi, për grevën e minatorëve. Por ajo nuk ishte prezent, për shkak se siç u tha, është në vizitë jashtë vendit.
Që nga 24 tetori, qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.
Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.
Në anën tjetër, Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të disa punëtorëve.
Fjala është për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha.