Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm te hoteli ‘Lake Side’ në Vërmicë, ku një person ka humbur jetën tragjikisht pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia e një objekti.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se viktima ka rënë nga një objekt që është në ndërtim e sipër.
“Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë kanë nisur hetimet për një rast që ka ndodhur në Vërmicë, ku një person dyshohet se ka rënë nga një objekt që është në ndërtim e sipër dhe si pasojë ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, ku mjeku ka konstatuar vdekjen. Rasti është cilësuar si ‘Hetim i vdekjes’”, tha Gashi.
Sinjali mëson se objekti ku dyshohet se ka ndodhur rasti tragjik, është në pronësinë e pronarit të ‘Lake Side’. Këta të fundit, nuk kanë pranuar që të prononcohen lidhur me rastin.