Qendrat e regjistrimit të automjeteve në veri të Kosovës edhe sot janë duke punuar për shkak të interesimit të shtuar të qytetarëve për të riregjistruar automjetet e tyre në targat RKS.
Qeveria e Kosovës së fundmi ka vendosur të shtyjë afatin për (ri)regjistrimin e automjeteve të tilla deri më 1 dhjetor. Targat në fjalë janë KM, PR, PZ, GL, UR, PE dhe ĐA, të cilat janë të paligjshme.
Qeveria e Kosovës njoftoi se vendimi i ri erdhi si rezultat i “kërkesës së madhe për regjistrimin e automjeteve në RKS”.
Shtyrja e afatit me vendim të Qeverisë së Kosovës është shoqëruar me një valë të re riregjistrimi. Njerëzit presin në radhë, por refuzojnë të flasin me mediat, duke thënë vetëm se po detyrohen të riregjistrojnë automjetet e tyre në mënyrë që t’i drejtojnë ato. Gjatë kësaj kohe, Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar po qëndrojnë të heshtur.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë sot për mediumin lokal në veri KoSSev se deri më sot në mesditë janë riregjistruar 436 vetura.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka dalë me deklarata se për shkak të fluksit të shtuar të qytetarëve që ndërrojnë targat në RKS, është marrë vendim që të vazhdojnë të funksionojnë Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në komunat në veri të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët e komunitetit serb që të përfitojnë nga mundësia për regjistrimin e automjeteve me targa RKS, duke shfrytëzuar stimujt financiarë në përputhje me vendimin e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.