Memli Krasniqi, kryetari i partisë opozitare PDK, pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, është deklaruar në lidhje me draftin e Asociacionit.
“I dërguari i BE-së shprehu qëndrimin e BE-së, duke na thënë se është një draft në përputhej me Kushtetutën, nuk patëm mundësinë ta shohim tekstin integral. Në këtë kuadër është për të kritikuar qasja dhe mungesa e plotë e transparencës nga ana e Qeverisë ndaj qytetarëve dhe ndaj përfaqësuesve politik”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi tutje kërkoi transparencë në lidhje me draftin e Asociacionit sidomos nga Qeveria e Kosovës.
“Ne besojmë që duhet të ketë vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara në proces, por mbi të gjitha të ketë më shumë transparencë sepse nuk po flasim veç për një marrëveshje në mesin e dhjetëra marrëveshjeve që janë diskutuar e nënshkruar në të kaluarën, por po flasim për një nga pjesët më kontroverse që janë diskutuar e kanë preokupuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë. Në këtë kuadër është për t’u kritikuar Qeveria për mungesë të plotë të transparencës për qytetarët dhe përfaqësuesve politikë, sepse është e pamjaftueshme të thuhet se ky draft është apo nuk është në pajtim me Kushtetutën pa i lexuar nga një perspektivë e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes. Kam kërkuar nga Lajçaku që sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet. Kjo nuk është qasje e drejtë sidomos pas sulmit të 24 shtatorit”, ka shtuar ai.