Ambasadori i BE-së në Kosovë, Thomas Szunyog, ia ka dorëzuar qeverisë së vendit Raportin e Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë konferencës që pati me Szunyogun tha se Kosova ka dëshmuar që është aleate e BE-së dhe sipas tij, BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e sheh brenda Bashkimit Evropian.
“Mosnjohja e plotë nga 27 vendet anëtare të BE-së vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së. Vazhdimi i procesit të anëtarësimit varet nga vullneti politik, ndërsa marrja e statusit kandidat nuk nënkupton njohje nga shtetet anëtare”.
“Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci, por nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës”, tha Bislimi.
Ai tutje tha se Kosova e ka bërë hapin e saj duke e dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE-së, ndërsa i bëri ftesë Këshillit të BE-së që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit ta bëjë vlerësimin për statusin e kandidatit.
Bislimi foli edhe për masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia ka vendosur Kosovës, duke thënë se “largimi i tyre do ta kthente motivimin dhe përshpejtonte edhe më shumë reformat”.