Ministrja Haxhiu do të intervistohet nga Prokuroria Speciale javën e ardhshme për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, pas një statusi që ajo kishte shkruar në Facebook. Avokati i familjes po e sheh të panevojshme këtë ftesë nga prokurori, teksa njohës të tjerë të çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se çdo kush që posedon informacione duhet t’i japë ato në të mirë të zbardhjes së rastit.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se Haxhiu do t’i përgjigjet ftesës javës së ardhshme.
“Siç vetë ministrja ka njoftuar, ajo është ftuar në intervistë nga ana e prokurorisë, të njëjtit nuk kanë treguar as caktuar datë, por kanë thënë që kurdo që ministrja është në mundësi me u intervistu për këtë çështje, atëherë me u paraqit. Ndërkaq Ministrja Haxhiu në afatin sa më të shpejt, brenda javës së ardhshme do të drejtohet për intervistim mirëpo do të ju njoftojmë paraprakisht”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Por absurde këtë ftesë e vlerëson avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, që akuzon prokurorin special për politizim të kësaj çështjeje.
“Ne kemi pasur raste të mëhershme ku edhe ish presidenti z.Thaçi ka deklaruar publikisht në televizione që Astrit Dehari është vrarë dhe nga ana e prokurorit nuk është kërkuar një gjë e tillë, pastaj kemi pasur edhe deklarime publike te Kadri Veselit i cili ka deklaruar se Astriti është vrarë dhe prokurori i rastit nuk ka kërkuar intervistimin e tyre”, ka thënë Gashi.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të drejtësisë Ylli Zekaj vlerëson se qoftë qytetarë të thjeshtë apo akterë institucionalë, duhet të intervistohen kur të njëjtit posedojnë prova a informacione,
Por tani, sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të bëjë krejt çka ka në dorë për të sjellë një epilog.
“Armiku më i madh i hetimeve është koha dhe sa më shumë të stërzgjatet një hetim aq më e vështirë është që të provohen faktet dhe provat, të cilat në raste të caktuara mund të zhduken, me kalimin e kohës. Qeveria e Kosovës t’i ofrojë të gjitha resurset mundshme, në drejtim të Prokurorisë që Prokuroria ta bëjë këtë hetim dhe të dalë me një aktakuzë për persona që dyshojnë se e kanë bërë vrasjen apo ta mbyllë këtë rast si vetëvrasje”, është shprehur avokati, Ylli Zekaj.
Më 3 nëntor, në përvjetorin e shtatë të vdekjes së Astrit Deharit, u protestua para Prokurorisë Speciale me kërkesën për zbardhjen e këtij rasti./RTV Dukagjini