Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Diturije Deliun, foshnjën gjashtëjavëshe që vdiq si pasojë e plagëve që mori në masakrën e Abrisë së Epërme të 26 shtatorit të vitit 1998, ku u vranë 22 familjarë të saj nga forcat serbe.
Diturije Deliu vdiq më 19 nëntor rrugës për në fshatin Tërdec, ndërsa gjyshi i saj dhe halla po e dërgonin në spitalin ushtarak të UÇK-së. Ajo i kishte vetëm 95 ditë.
Kurti në postim në Facebook ka thënë se janë të paharruara dhe të pafalshme krimet e Serbisë në Kosovë.
“Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të. Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes. Ajo u gjet e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë. E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së. I kishte vetëm 95 ditë. Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore. I përjetshëm është kujtimi për të. Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Facebook. / Gazeta Enigma.