Haxhiu për rastin Dehari: Prokurori po e mban peng, drejtësi e llogari sipas përgjegjësisë

Haxhiu për rastin Dehari: Prokurori po e mban peng, drejtësi e llogari sipas përgjegjësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka njoftuar se është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës për rastin e ish-aktivistit Astrit Dehari.

Ajo ka thënë se prokurori Afrim Shefkiu po e mban peng zbardhjen e rastit së Deharit, e sipas saj, nevojitet drejtësi dhe llogari “sipas përgjegjësisë”.

Haxhiu ka ftuar prokurorin të kryejë hetime të përgjegjshme, në të kundërtën “të mos e pengojë drejtësinë”.

“Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri, dhe nëse kjo kërkesë është e pamundur, atëherë mos të bëhet person që e pengon drejtësinë, Policët më kanë bërë pyetje se kush janë kryerësit e veprës penale, po t’i kisha emrat nuk do të prisja shtatë vite”.

“Po ta kisha emrin e kryesit apo kryersve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime, punën e tij unë nuk mund ta bëjë”, u shpreh Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se mostrat e Deharit janë zhdukur në prag të zgjedhjes së drejtorit të ri të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Ne kemi pezulluar procesin sepse lënda është në Prokurorinë Speciale. Sipas informacioneve disa nga mostrat janë gjetur por nuk mund të bëjë publike se cilat janë ato. Unë kam fol një orë e gjysmë”, ka deklaruar Haxhiu.

“Në cilësinë e ministres së Drejtësisë, kam obligim të angazhohem për drejtësi e të interesohem për vrasjen e një qytetari në duart e shtetit. Prokurori special reagoi me shpejtësi ndaj deklarimit tim, por s’ishte hera e parë që kam thënë një gjë të tillë. Por, pse reagoi tash e pse jo më herët. E po ashtu, a ka reaguar prokurori ndaj zyrtarëve që kishin thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë”, ka thënë ajo.

Sipas ministres Haxhiu, prokurori Shefkiu s’e ka treguar të njëjtin zell ndaj “reagimeve e mosveprimeve apo veprimeve të gabuara”.

“Nëse tani s’mund të dihen urdhërdhënësit apo ekzekutorët, prokurorët është dashur të merren me ata që s’e kanë kryer detyrën si duhet, e ata mund të jenë nxitur e shtyrë nga dikush. Drejtësi paralele s’mund të bëjmë. Prokurori të dijë që provë s’është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar për veprën penale, por gjithçka që çon te e vërteta”, është shprehur Haxhiu.

Haxhiu tutje ka theksuar se në pyetje është dashur të merren edhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha dhe ish-drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi.

“A janë marrë në pyetje ata. Pse kanë reaguar me shpejtësi se është vetëvrarë…Publikimi i videofilmimeve e kush i ka nxjerr kamerat me planifikim, kush ka menduar dhe ndihmuar të bëjë një gjë të tillë…S’kemi informacione të ketë nisur hetim penal ndaj marrjes së mostrave dhe kush mban përgjegjësi, mostra të papërdorshme…Prokurori po e mban peng, pse s’po zbardhet rasti i Astrit Deharit, drejtësi e llogari sipas përgjegjësisë”, ka shtuar ajo.

Related Articles