Gjatë ditës së djeshme në fshatin Uglarë në Gjilan, janë arrestuar dy persona, të cilët janë futur në sherr me njëri-tjetrin për shkak të një mosmarrëveshje momentale.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë kapur mes vete si pasojë e një zënke për lëvizjet e rrezikshme me veturë nëpër rrugët e fshatit të njërit prej tyre.
Konflikti verbal mes tyre ka eskaluar në përleshje fizike e më pas edhe në përdorimin e armës, por që fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Siç mëson Sinjali, fillimisht i dyshuari M.Selimi është kapur me të dyshuarin S.Islami, e më pas ky i fundit ka marrë një armë automatike nga shtëpia e tij dhe i ka shkuar te shtëpia të dyshuarit tjetër, ku ka shtënë disa herë.
Rasti dyshohet se ka ndodhur pas akuzave të Islamit ndaj Selimit, për çka ata debatuan, por nuk arritën të merreshin vesh.
Posa incidenti është raportuar në Polici, njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar të dyshuarit, teksa arma e përdorur është sekuestruar.
Me t’u përfunduar procedurat policore, me vendim të prokurorit, i dyshuari i cili e ka përdorur armën është dërguar në mbajtje, kurse ndaj të dyshuarit tjetër vetëm është iniciuar rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.