Ferid Berisha, i njohur ndryshe si Komandant Shkupi, i njësisë së dikurshme “Tigrat e Zi”, ka folur për listat e veteranëve dhe krijimin e një fondacioni pikërisht për t’ju dalë në ndihmë veteranëve të UÇK-së.
Në emisionin ‘Radar’, ai është pyetur se si e sheh procesin dhe reagimet për veteranët e rrejshëm.
“Kur përmenden veteranët, nuk është në pyetje të rrejshëm, apo të vërtet, veterani është vetëran. Çështjet teknike të cilat ndodhin gjatë procesit të regjistrimit, ato janë përgjegjesi e institucioneve, të cilat e bëjnë atë regjistrim. Normal unë ndjehem i zhgënjyer kur dëgjoj numra të ndryshëm, andaj ftoj institucionet kompentete që sa më shpejt ta rregullojnë këtë çështje, dhe të certifikohen njerëzit, sepse ne çdo ditë po humbim bashkëluftëtarë. E për shumicën prej tyre do të jetë vonë, s’do të ketë më rëndësi”, u shpreh ai.
Berisha, i cili aktualisht ndodhet në Amerikë, ka bërë të ditur se ka hapur edhe një fondacion për veteranët të quajtur “Don’t forget”.
“Së fundi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam hapur një fondacion, i cili quhet Fondacioni i Vetëranëve, “Don’t forget”. Vetë fjala besoj që na tregon qëllimin, që të bëjmë gjëra të mira për të mos harruar veteranët, e po ashtu kontribuesit për çlirimin e Kosovës”, u shpreh ai.
Ky fondacion sipas Berishës është më ndryshe se shoqatat apo veprimtaritë që lidhen me ndihmën.
Kjo pasi ai shpjegon se fondacioni fokus kryesor ka reabilitimin e veteranëve që kanë më shumë probleme shpirtërore apo shëndetësore.
“Ne më shumë jemi duke punuar për ta pasqyruar historinë, duke krijuar projekte, për reabilitimin e objekteve të ndryshme të luftës të cilat kanë mbetur prapa. Po ashtu do të tentojmë të krijojmë institucione për reabilitimin e veteranëve që kanë më shumë probleme shpirtërore apo shëndetësore. Andaj presim edhe mbështetje nga bashkatdhetarët që jetojnë në SHBA”, tha ai.
Po ashtu, komandant Shkupi ka bërë të ditur se ka rikrijuar uniformën e veteranëve të UÇK-së, Brigada 111 “Adem Jashari”.
“Kemi bërë uniformat për t’u identifikuar më mirë. Ai ka qenë projekti i parë që e kemi bërë, pra për të dizajnuar një uniform. Kjo ka ndodhur para disa ditë ne Michigan të SHBA-së. Ka qenë një ndjenjë e veçantë pasi kam veshur unformë pas 25 viteve”, shprehet Berisha.
Ferid Berisha nga Shkupi me shumë shokë të tij kishin lënë Holandën në prill të vitit 1998, që të japin kontribut në çlirimin e Kosovës.