Admiruesit nga e mbarë bota i pushtoi një ngazëllim i madh në orët e para të 5 dhjetorit kur Rockstar Games publikoi skena nga Grand Theft Auto VI – videoloja më e shumëpritur e dekadës.
Pamjet e para nga pjesa e ardhshme e serisë së famshme u publikuan pas shumë vitesh spekulime për qytetin, personazhet dhe atmosferën e GTA 6.
Si duket loja?
Skenat e prezantuara shfaqin të ashtuquajturin Vice City, në shtetin Leonida, në cilësi marramendëse – që përbën një avancim të madh nga grafika e GTA 5, e publikuar 10 vjet më parë.
Bëhet fjalë për një version fiktiv të Majamit, në Florida, ku ishte bazuar loja e popullarizuar e vitit 2002, “Grand Theft Auto: Vice City”.
Të shoqëruara nga tingujt e këngës “Love Is a Long Road” nga Tom Petty, skenat nga GTA 6 përmbajnë gjithçka që njerëzit nga të katër anët e botës i duan – ose i urrejnë – në serinë e famshme: ndjekje të çmendura me vetura të shpejta, një botë e madhe e paraqitur hollësisht, gra me pak rroba mbi trup, dhe referenca të shumta që tallen me kulturën e mediave sociale.
Sam Houser, themelues i Rockstar-it, ka thënë se GTA 6 “vazhdon përpjekjet tona për t’i shtyrë kufijtë e së mundurës në përvoja tejet interaktive në botën virtuale”.
Cili është ndryshimi më i madh?
Për herë të parë, një lojë GTA do të ketë një grua në mesin e protagonistëve. Rolin kryesor në skenat e prezantuara nga loja e ka Lucia, e prezantuar në atë që duket të jetë burg, me një uniformë të portokalltë.
Ajo, më vonë, shfaqet duke u lidhur me një burrë – emri i të cilit nuk bëhet i ditur gjatë skenave. Dyshja shihet me maska, duke plaçkitur dyqane, dhe duke ikur me veturë nga ndjekësit.
Prezantimi i Lucias – dhe fokusi në të gjatë skenave – u bë pas dekadash kritika kundër Rockstar-it për pasqyrimin e grave në lojërat e tij, në veçanti pazotësinë e tyre, dhe dhunën e denigrimin që ato pësojnë.
“Nga ajo që mund të shohim në këtë fazë… Është vendim i rëndësishëm, një që kompanitë e tjera të videolojërave nuk e kanë bërë në të kaluarën, në rastet kur mund të zgjidhen protagonistët”, ka thënë Esther Wright, historiane videolojërash në Universitetin e Kardifit.
Dhe, “është prapë po ajo GTA-ja që njerëzit e njohin dhe e duan”, ka shtuar ajo.
Kush do të mund të luajë GTA 6, dhe kur?
Ndonëse lojtarët u gëzuan nga ajo që panë prej GTA 6, ata ngelën paksa të zhgënjyer nga data e daljes në shitje të lojës, e cila u prezantua në fund të skenave: 2025.
Loja do të mund të luhet në aparatin PlayStation 5 të Sony-t dhe në aparatet Xbox Seria X dhe Seria S të Microsoft-it, ka bërë të ditur Rockstar.
Kompania nuk ka përmendur nëse do të nxjerrë versione të lojës që do të mund të luhen në kompjuterë apo telefona mobilë.
Si reaguan entuziastët?
Pati lëvdata pothuajse universale nga admiruesit e lojës në rrjetet sociale, ndërsa skenat u bënë menjëherë ndër temat më të diskutuara online.
“U rrëqetha”, komentoi @sachinbhujel909 në platformën për video, YouTube. “Të gjithë ne kemi qenë duke e pritur këtë një pjesë të jetës sonë… U prehshin në paqe ata që nuk arritën ta shihnin”.
Për mbi 15 orë, pamjet e para nga GTA 6 regjistruan më shumë se 65 milionë shikime në YouTube.
GTA 6 dhe temat e lidhura me të u bënë trendët kryesorë në mbarë botën në X, që më herët njihej si Twitter, pak pasi u publikua videoja me skenat e lojës.
Disa u tallën me faktin se sa gjatë do t’ju duhet të presin për ta luajtur lojën, teksa disa publikuan video që shfaqin njerëz duke zgjedhur një stil më të shëndetshëm jetese për të mbijetuar deri më 2025.