Bislimi: Nuk e kemi pranuar draftin e Asociacionit

Bislimi: Nuk e kemi pranuar draftin e Asociacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Qeveria nuk e ka pranuar draftin e Asociacionit, por është pajtuar që ai të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Bislimi ka akuzuar opozitën e tanishme për deklaratat e tyre rreth Asociacionit. Madje, ai ka thënë se ka disa shembuj që opozita është në një vijë me Serbinë.

“Kjo narrativë është duke u shpërndarë qëllimisht dhe gabimisht. Jo, nuk e kemi pranuar, në asnjë rast. Qeveria e Kosovës vetëm ka thënë kështu: Procesi i veprimeve në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit i ka disa faza kur bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Njëra prej fazave është dakordimi i Qeverisë që një draft ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar Bislimi.

Ai ka folur edhe për draftin e dorëzuar nga emisarët dhe refuzimin e Vuçiqit për të nënshkruar marrëveshjen.

“Diku në draft përmendet. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar. E kemi pasur lehtë, ndoshta më të lehtë të ballafaqohemi me Vuçiqin, kur kanë thënë se edhe opozita juaj mendon sikurse Serbia, e ju mendoni ndryshe. Pyesni Lajçakun pse na e ka thënë këtë akuzë. Por nëse kjo që po e bëjmë tani ose na është prezantuar tani qenka SuperZajdenicë, ku është problemi te Vuçiqi, i cili po thotë se nuk po e dua këtë SuperZajednicë por po e dua atë Zajdenicën e Isa Mustafës”, ka shtuar Bislimi në televizionin publik.

Related Articles