Deputeti i rizgjedhur në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ftuar faktorin ndërkombëtar që të jetë më i pranishëm në Luginë të Preshevës.
Kamberi në një intervistë për Klan Kosova, mes tjerash ka potencuar se qëndrimi i qeverisë së se serbe do të shihet pas konsolidimit.
Megjithëse, deputeti i vetëm shqiptar nuk mendon që do të ketë ndryshim, pasi presidenti do të jetë i njëjti.
“Nëse Bashkimi Evropian vendos të jetë më rigoroz në raport me Serbinë në çështjen e respektimit të drejtave të pakicave do të ketë përparime, por nëse ata vazhdojnë me një politikë pragmatike ku e përdhelin agresorin, sërish na pret një betejë e rëndë. E jona është të shpërfaqim gjithë atë diskriminim. Të ftojmë faktorin ndërkombëtar, që në Luginë të jenë më shumë prezentë dhe të bëjnë trysni të mjaftueshme në Serbinë”, ka theksuar Kamberi.
“Nuk jam optimist shumë sepse asnjëherë në asnjë moment në këto 22 vjet, ata nuk kanë qenë fleksibil ndaj kërkesave tona nëse nuk ka pasë presion ndërkombëtar, nëse do të ketë ndryshime kjo do të varet nga presioni që Bashkimi Evropian do ia bëjë Serbisë, do shohim se çfarë do të sjellë faza e re e dialogut të Kosovës dhe Serbisë, pas konsolidimit të qeverisë së re në Beograd nëse aty do të ketë përparime, sigurisht përparimi do të shihet edhe këtu”, ka thënë Kamberi.