Sot është nënshkruar marrëveshja lidhur me projektin për efiçincë të energjisë elektrike.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, drejtori i bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sergiy Maslichenko dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturave të brendshme të ndërtesave publike të kryeqytetit.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë fjalimit të tij.
“Sot me komunën e Prishtinës po e thellojmë edhe një marrëveshje tjetër, është marrëveshja për efiçiencë të energjisë të ndërtesave publike në Prishtinë, e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturave të brendshme të ndërtesave në Prishtinë duke garantuar sisteme të ngrohjes të cilat janë më efiçiente, pra mundësojnë kursimin e energjisë dhe në të njëjtën kohë kërkojnë standardet ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje do të zëvendësohen edhe dyert dhe dritaret si dhe do të bëhet edhe izolimi i 47 ndërtesave”, tha Murati.
Ndërsa Maslichenko është shprehur se ky është një projekt-pilot për ta në Kosovë, po që është i vendosur se ky projekt do të funksionojë si ka funksionuar në vendet e tjera.
Përparim Rama tha se kryeqyteti ka nevojë të veçantë për restaurim, rinovim dhe ngritje të efiçiencës, jo vetëm në aspektin e rrymës që shpenzohet për energji, por edhe në aspektin e ambientit që krijohet.