Kryeministri Albin Kurti sot në një konferencë për media ka ngritur alarmin se Milan Radojicic në bashkëpunim me shtetin serb dhe ushtrinë serbe po përgaitet për sulme të reja në Kosovë.
Kurti ka thënë se një grup prej 80 personash janë duke bërë ushtrime në poligonin e ushtrisë serbe në Rashkë. Aty Kurti ka thënë se po trajnohen për vendosjen e minave dhe snajper.
Kryeministri Kurti ka thënë se në nëntor të këtij viti ka qenë i planifikuar sulmi tjetër në Zubin Potok për të marrë villën e Milan Radojiçiqit, shkruan Express.
“Qendra për ekologji që gjendet në brigjet e Ujmanit dhe “Raska banja” që gjendet në afërsi të manastirit të Banjskës janë dy pika që janë përdorur nga Radojicic e janë ndërtuar me fonde të Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Vucic, tjetra prej Bernabiq. Njëkohësisht një grup prej 80 personash kanë vazhduar ushtrimet në poligonin e Rashkës. Aty ushtria serbe kryen ushtrime të shumta, përfshirë edhe gjuajtjet me tanke. Trajnimet bëhen nga ushtarakë të vjetër serb, të cilët kanë njohuri për Kosovën. Ushtrime po i kryejnë për vendosjen minave antik tank në kushte dimërore dhe për snajperist. Në nëntor 2023 ka pasur planifikim që të kryhet sulm ndaj Komunës së Zubin Potokut për ta marrë villën e Radojicicit, por u pezulluan shkaku i zgjedhjeve në Serbi. Plani ndryshoi pas intensifikimit të patrullimit nga Policia dhe KFOR-i rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera”, ka deklaruar Kurti.
Ai tutje ka folur edhe për poligone të tjera ku pjesëtarë të grupeve terroriste po trajohen.
“Në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, afërs Sijenicës në rajonin e Sanxhakut po trajnohen 60 anëtarë të Mbrojtjes Civile që kanë marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit, e që konsiderohen më të besueshmit e Radojicicit. Ky grup ka planifikuar sulme ndaj Policisë pas zgjedhjeve në Serbi në lokacione kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim ka pasur edhe lëvizje të ushtrisë serbe, në lokacione ku parashiheshin këto sulme”, ka thënë Kurti.
“Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga Veriu, janë grumbulluar edhe në një bjeshkë në Kralevë, ku është qendra më e madhe e xhandarmërisë serbe në rajon”, ka shtuar tutje kryeministri.
“Gjithashtu ka pjesëtar të grupeve terroriste të cilët po qëndrojnë në lokacionin Banja e Novi Pazarit, rreth 10 kilometra në afërsi të kufirit me Kosovën. Posedojnë armë, përfshirë anti-tank dhe mjete të tjera. Një arsenal armësh duket që fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit. 25 kilometra larg pikës kufitare në Jarinjë. Aty ka armatim të ngjashëm me armatimin që u përdor në Banjskë”, ka potencuar Kurti.