E lidhi dhe e rrahu kosovarin, dënohet polici gjerman

E lidhi dhe e rrahu kosovarin, dënohet polici gjerman

Anëtar i një grupi ekstremist të krahut të djathtë në policinë e Mülheim / Ruhr është dënuar për rrahjen e një shqiptari nga Kosova.

Një pjesëtar i grupit ekstremist të krahut të djathtë “Alphateam” në stacionin e policisë Mülheim / Ruhr është dënuar me nëntë muaj me kusht për shkak se ka goditur në mënyrë të përsëritur një shqiptar kosovar me shtetësi gjermane.

Zëdhënësi i gjykatës së rrethit Mülheim, Andreas Kunze, ka raportouar për gazetën “Kölner Stadt-Anzeiger” (botimi i së enjtes) se komisioneri i policisë gjatë gjykimit, më 7 qershor ka pranuar pretendimet për shkaktim të dëmtimit trupor të personit gjatë orarit zyrtar të punës.

Polici në fjalë, në janar të vitit 2019 e kishte lidhur kryefamiljarin shqiptar pas një debati të zëshëm që kishin pasur lidhur me ushtrimin e dhunës në familje, transmeton albinfo.ch. Më pas ai e kishte goditur atë disa herë në fytyrë.

Arsyeja që ka dhënë ai për këto goditje ishte se ishte i mbingarkuar nga pozita e vështirë ku ndodhej, në vendin e ngjarjes.

Zyra e prokurorit publik në Duisburg po e heton atë gjithashtu për shkak të përfshirjes së tij në grupin ekstremist të krahut të djathtë “Alphateam”.

Partnerja e punës e të pandehurit kishte ndihmuar në mbulimin e sulmit për një vit e gjysmë duke bërë deklarata të rreme. Siç ka zbuluar gazeta, Gjykata e Qarkut tashmë ka dënuar komisaren e policisë me shtatë muaj burg, me kusht.

Ende janë duke vazhduar hetimet kundër dy drejtuesve të grupeve të shërbimit të cilët ngarkohen se nuk kanë raportuar incidentin.

Related Articles