Opozita kritikon shkarkimin e Dakës, thonë se VV-ja po tenton qeverisje autoritare

Opozita kritikon shkarkimin  e Dakës, thonë se VV-ja po tenton qeverisje autoritare


Përfaqësuesit e partive opozitare në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar vendimin e presidentes, Vjosa Osmani, që qoi në shkarkimin e ish kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, raporton Gazeta “Enigma”.


Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra këtë vendim e cilësoi si tentim për pushtet autoritar, që është urdhëruar nga partia në pushtet, LVV.

“Me shqetësim kemi përcjellë zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht vendimin e Presidentes Osmani, për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së, Valdete Dakës. PDK-ja këtë vendim e konsideron si tendencë për qeverisje autoritare, e cila provon që të vë kontroll në gjitha institucion kyçe. Shkarkimi është politik dhe godet rëndë demokracinë. Shkarkimi i saj po bëhet pas zgjedhjeve të rregullta në vend të vlerësuara pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare”, deklaroi ajo në seancën e sotme.

Madje ajo theksoi se shkarkimi i Dakës rrezikon funksionimin e KQZ-së në të ardhmen. “Osmani ka shkelur Kushtetutën duke iu bindur urdhrave të Albin Kurtit”, theksoi tutje Deliu-Kodra.

Kurse deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj tha se vendimi i Osmanit paraqet precedent të rrezikshëm për pavarësinë e institucioneve të pavarura.

“Sipas vlerësimit tonë një vendim i tillë paraqet një precedent të rrezikshëm, dhe me të drejtë mund të konsiderohet një vendim skandaloz, përmes së cilit cenohet rëndë pavarësia dhe integriteti i institucioneve të pavarura. Veprimi i tillë nuk mund të kuptohet ndryshe pos përpjekje për kapjen dhe kontrollin  e institucioneve të pavarura. Kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, por vetëm emërimin”, tha ai.

Ky vendim i kundërshtua edhe nga partia tjetër opozitare, AAK-ja. /Gazeta Enigma.

Related Articles