Mbrojtja e afërt e kryeministrit, Albin Kurti, është parë sot ta ketë penguar punën e gazetares së Klan Tv shqiptar, Blerta Dalloshi.
Dalloshi po tentonte në ato momente t’i bënte pyetje kryeministrit Kurti.
Këtë e dëshmojnë pamjet të cilat edhe vet Dalloshi i ka publikuar bashkë me reagimin e saj në facebook, ndaj këtij akti siç shihet agresiv të mbrojtjes së afërt kryeministrore.
”Ka më se 22 vjet që punoj si gazetare. I kam prit e përcjell të gjitha qeverisjet e kryeministrat duke nis nga Bajram Rexhepi. Por mbrojtje të afër si të kryeministrit Kurti asnjëherë nuk me ka rastis me pa. Është hera e dytë që më (sulmojnë) pengojnë në kryerje të detyrës por kjo e sotmja është kulmi”.
Si pasojë ajo thotë se ka pësuar lëndime për çka dhe ka ende dhimbje në dorën e djathtë.
”Shihet në video sjellja e tyre, derisa dora e djathtë ende po më dhemb. Kapja e mikrofonit nga ana e tij që rezultoi edhe me ndaljen e kamerës është sikurse unë me i marrë armën atij”.
”Mos të harrojmë me atë mikrofon kam raportuar dhe informuar popullin për të gjitha të mirat dhe të këqijat e të gjitha qeverisjeve e vitet e fundit më së shumti nga Mitrovica”.
Ajo shkruan mes tjerash se gjatë kryerjes së detyrës së saj nuk ka tejkaluar kompetencat të cilat i përkasin si gazetare, ndaj thekson se sjellja e mbrojtjes së Kurtit, ishte e turpshme.
”Sjellja e sotme ishte për turp”.
”Edhe diçka, i di kompetencat e mia deri ku kam të drejtë dhe nuk i kam tejkaluar ato”.