Ka mbi një dekadë që kur ka nisur procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Që nga fillimi i këtij procesi, synimi ka qenë që të normalizohen raportet mes të dyja shteteve, megjithatë normalizimi i raporteve nuk u arrit as gjatë vitit 2023.
Qysh në shkurt të vitit që po lëmë, pas shumë përpjekjeve nga blloku evropian, në takimin që u mbajt në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, palët u pajtuan me propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Ata pranuan një dokument që përbëhej nga 11 nene.
Marrëveshja me 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Kurse vetëm disa ditë më vonë, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq zgjatën për plot 12 orë.
Bashkimi Evropian marrëveshjen e cilësoi si diçka historike, edhe pse pala serbe refuzoi ta nënshkruaj atë.
“Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, deklaroi shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Kryeministri Kurti pas takimeve deklaroi se marrëveshja nënkupton njohjen de-facto nga Serbia, ndërsa shprehu zhgënjimin e tij që pala serbe refuzoi ta nënshkruaj marrëveshjen.
Deri diku i kënaqur me marrëveshjen u shpreh edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Njëfarë marrëveshjeje është arritur, jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha. Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha Vuçiq.
Por, kur u kthye në Beograd, Vuçiq tronditi komunitetin ndërkombëtar duke i ndryshuar qëndrimet rreth marrëveshjes.
Ai bëri të ditur para publikut serb, se i ka disa vija të kuqe sa i përket marrëveshjes.
“Ata nuk mund t’i imponojnë Serbisë diçka që Serbia nuk e ka pranuar. Prandaj nuk e kam nënshkruar as Marrëveshjen, as Aneksin, por jemi të gatshëm të punojmë në zbatim”, tha ai.
Marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit mbeten vetëm në letër, ndërkaq tensionet kulmuan në pjesën veriore te Kosovës.
Për shkak të situatës se brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, Kurti dhe Vuçiq u takuan sërish në Bruksel më 14 shtator.
As ky raund i dialogut nuk ishte produktiv.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se nuk e pranoi propozimin evropian për zbatimin e marrëveshjes.
Kurse ky i fundit pas takimeve deklaroi se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si kushtëzim të vjetër të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkaq, dialogu ra në pikën më të ulët, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, përmes një konference për medie ne Prishtinë akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është pozicionuar kundër Kosovës.
Raportet mes Kosovës dhe Serbisë u tensionuan edhe më shumë, kur më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë pasi patrulla me të cilën ishte, u sulmua nga një formacion terrorist.
Aleksandar Vuçiq, mohoi se shteti i serb ishte i përfshirë në këtë sulm terrorist, ndërkaq përgjegjësinë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.
Zhvillimet dramatike në veri, morën sërish gjithë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.
Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, vendosi të shtojë prezencën ushtarake në veri të Kosovës.
Me situatën e sigurisë në Kosovë, u alarmuan edhe dy liderët më të fuqishëm të bllokut evropian, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Ata kërkuan nga Kurti dhe Vuçiq që me urgjencë të udhëtojnë për në Bruksel për ta vazhduar dialogun.
Pritjet ishin të larta për atë takim, por rezultatet sërish munguan.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti u shpreh sërish gatshëm nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet akoma në udhëkryq dhe palët janë akoma larg normalizimit të marrëdhënieve.