Ish-diplomati britanik dhe studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it, Timothy Less, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një intervistë për Express, Less është shprehur se nuk ka pasur progres me arritjen e marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel, mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, ka pasur disa përparime në çështjet e rendit të dytë, por palët janë ende shumë larg për çështjet kyçe të autonomisë për serbët e Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Ka pasur disa përparime në çështjet e rendit të dytë si personat e zhdukur, por të dyja palët janë ende shumë larg për çështjet kyçe të autonomisë për serbët e Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Sa i përket zgjidhjes eventuale, perspektivat po zvogëlohen. Marrëdhëniet midis dy palëve janë bërë gjithnjë e më antagoniste dhe rreziku i konfliktit të hapur është më i lartë tani se sa ishte në fillim të vitit 2023”, ka thënë ai.
Less nuk e sheh të pamundur përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja palëve, por shprehet skeptik për këtë dhe liston tri arsye përse.
“Asgjë nuk është e pamundur, por nuk shoh shumë mundësi për një përshpejtim për tri arsye. Së pari dhe më e rëndësishmja, asnjëra palë nuk i pranon kushtet e marrëveshjes. Është veçanërisht e keqe nga perspektiva e Kosovës, së cilës i është kërkuar që t’ua lëshojë autonominë serbëve pa ndonjë garanci përkatëse për njohje nga Serbia. Por Serbia gjithashtu nuk është e prirur për marrëveshjen, sepse qëllimi i saj është ta ndajë Kosovën dhe ta integrojë veriun në vetë Serbinë, dhe marrëveshja u ofron vetëm autonomi serbëve të Kosovës.
Arsyeja e dytë, siç kanë dëshmuar ngjarjet e vitit 2023, është se Perëndimi nuk ka mjete efektive për ta detyruar as Serbinë, as Kosovën ta nënshkruajnë një marrëveshje të cilën ata nuk duan ta nënshkruajnë. Ka sanksionuar Kosovën por kjo nuk ka funksionuar. Ka thënë se Serbia dhe Kosova nuk mund të anëtarësohen në BE pa marrëveshje, por kjo nuk ka funksionuar. Dhe ajo heziton ta sanksionojë Serbinë nga frika se mos e shtyn atë më afër Rusisë dhe Kinës, e kundërta e asaj që Perëndimi po përpiqet të arrijë.
Dhe arsyeja e tretë është se bisedimet po zhvillohen kundër një sfondi gjeopolitik në ndryshim, me fuqitë revizioniste që sfidojnë hapur hegjemoninë e Perëndimit. Rrjedhimisht, as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk kanë shumë kohë apo energji për t’u fokusuar në Ballkan, ndërsa Serbia në veçanti ka një nxitje të fortë për të luajtur për kohën në vend që të nënshkruajë ndonjë gjë tani, me shpresë që politika ndërkombëtare të kthehet në favor të saj”, ka thënë Less.
Kujtojmë se dy udhëheqësit ishin takuar më 27 shkurt në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë.
Në tryezë të diskutimeve kishin një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, që u titullua “Marrëveshje drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ishte ndërmjetësues në takim, pati deklaruar se palët janë dakorduar për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Borrell pati thënë se pas atij takimi do të pasojnë negociatat për të përcaktuar modalitetet e zbatimit të saj, ashtu siç ndodhi më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Edhe Kurti dhe Vuçiq konfirmuan se kanë rënë dakord për përmbajtjen e marrëveshjes, por thanë se nuk kanë nënshkruar asgjë dhe për këtë fajësuan njëri-tjetrin.
Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
E, në mesin e tyre është edhe Marrëveshja për Asociacionin, e cila është arritur në viti 2013, por nuk është zbatuar kurrë.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Ndër pikat më të diskutueshme janë njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.