84 për qind e zyrtarëve për tenderë s’e kalojnë testin e avancuar

84 për qind e zyrtarëve për tenderë s’e kalojnë testin e avancuar

Vetëm 17 nga 101 zyrtarë të prokurimit që i janë nënshtruar testimit për certifikatë të avancuar në prokurim kanë arritur ta kalojnë testin. Në përqindje, 84 për qind e zyrtarëve që merren me tenderë e që i janë nënshtruar testimit, nuk e kanë kaluar.

Albulena Ndrecaj, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës për Progres – INPO, ka thënë se këto të dhëna tregojnë se zyrtarët e prokurimit janë të cenueshëm.

“Pas festimeve e pushimeve i kthehemi realitetit kosovar. 84% e zyrtarëve të prokurimit, që i janë nënshtruar testimit për certifikatë të avancuar në prokurim (certifikatë e përhershme) nuk e kanë kaluar testin. Pra nga 101 të testuar, vetëm 17 kalojnë. Prandaj janë të cenueshëm këta zyrtarë. Sepse kur s’ke dije dhe aftësi profesionale nuk ke as integritet”, ka shkruar ajo në Facebook të martën.

Sipas njoftimit për testim nga faqja “E-Prokurimi”, këta zyrtarë i janë nënshtruar një trajnimi disaditorë para testimit.

Testet përmbajnë 100 pikë. Numri minimal i pikëve për kalimin e provimit për certifikatë themelore profesionale është mbi 65 nga 100 pikë të mundshme, ndërsa për certifikatë të avancuar profesionale mbi 75 nga 100 pikët e mundshme.

“Me qëllim të ngritjes së cilësisë në prokurim publik, nuk do të ketë ritestim”, thuhej në njoftim.

Zyrtarët e testuar janë të institucioneve publike të të gjitha nivele.

Related Articles