Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbyllur për publikun seanca ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit.
Gjyqtari Xhevdet Abazi tha se për shkak të veprës penale “Dhunimi”, kjo seancë duhet të mbyllet për publikun, ndërsa mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje.
Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për të akuzuarit Krivaqa dhe Sejdiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.
Kurse, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.