Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ku një person ka shkaktuar vetaksident në trafik në afërsi të një shtëpie private. Kjo alarmoi pronarët e shtëpitë, të cilët dyshohet se sulmuan 18-vjeçarin, duke menduar se i njëjti ka tentuar të kryejë vjedhje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se dy anëtarët e familjes Boçaj dyshohet se kanë sulmuar fizikisht shoferin e veturës dhe të njëjtin e kanë kërcënuar me armë zjarri.
Si pasojë e dhunës me të cilën u përball, i riu është dërguar në spital për tretman mjekësor dhe më pas i njëjti ka dhënë dëshminë e tij para organeve të hetuesisë.
Sinjali mëson se gjatë përleshjes, dyshohet që është dëgjuar edhe një e shtënë arme.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastiti. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy armë zjarri, ndërkohë që dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.