Sport Club “Gjilani” vazhdon të bëjë lëvizje në afatin kalimtar të dimrit, raporton Gazeta Enigma.
Skuadra gjilanase ditën e sotme ka arritur marrëveshjen me Dinamon për huazimin e Blendi Kasniqit.
Dy klubet kanë arritur marrëveshjen që lojtari të kalojë në Superligën e Kosovës për pjesën e dytë të sezonit, duke shtuar kështu alternativat për skuadrën kosovare në repartin e mesfushës. Drejtuesit kanë menduar ta rikthejnë te Gjilani, në huazim, skuadër nga e cila e blenë në verën e vitit 2023.
“FC Dinamo City njofton se ka arritur marrëveshjen me skuadrën e Gjilanit, për huazimin e mesfushorit Blendi Krasniqi deri në përfundim të sezonit.
Duke parë se në këtë pjesë të kampionatit, hapësirat për Krasniqin ishin të pakta, klubi ynë vlerësoi se rruga e duhur për rritjen e mëtejshme të lojtarit, ishte transferimi në skuadrën e Gjilanit, ku edhe mundësia për të luajtur do të jetë më e madhe”, shkruan klubi dinamovit.
Kujtojmë se në pjesën e parë të sezonit Krasniqi ka luajtur në 9 ndeshje, 8 në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë, në total 480 minuta.