Nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve në veri, KQZ: Ka ndryshime në fletëvotime nga zgjedhjet e ardhshme

Nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve në veri, KQZ: Ka ndryshime në fletëvotime nga zgjedhjet e ardhshme

Në Mitrovicën e Veriut sot ka nisur nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq, shkruan Gazeta “Enigma”.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë drejtuar për në sallën e sporteve në veri të vendit për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.

Peticioni ka nisur pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Elezi: Jo më pesë, por deri 10 kandidatë, ndryshime edhe në numërimin e fletëvotimeve

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për Gazetën “Enigma” tha se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e deritashme parlamentare kanë pasur të drejtë të votojnë deri në pesë kandidatë, mirëpo me Ligjin e ri votuesi do të mund të deri në 10 kandidatë për deputetë.

“Risia në këtë ligj është se votat për kandidatët për deputetët dhe kandidatëve për Kuvende komunale do të numërohen në Qendra komunale të numërimit të fletëvotimeve, ndërkaq ka mbetur e pandryshuar kur është fjala për numërimin e votave në zgjedhjet për kryetar të komunave, numërimi I të cilave do të bëhet në vendvotime”, ka deklaruar Elezi.

Tutje ai ka njoftuar se sa nënshkrime duhet të mblidhen që të jetë i suksesshëm ky peticion.

“Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote”, tha Elezi.

Sipas tij “në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit”.

“Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar. Ndërsa në që peticioni të jetë i suksesshëm në Zveçan duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona”, ka deklaruar Elezi për “Enigmën”.

Peticioni për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicën e Veriut, Osmani: Është e drejtë që u takon qytetarëve në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se peticioni i nisur nga serbët e Kosovës për shkarkimin e kryetarëve në veri të vendit është e drejtë dhe se ky fakt duhet respektuar.

E para e shtetit deklaroi se ky peticion u lejon edhe serbëve dhe se i njëjti është në përputhje me ligjet në fuqi.

“Sot ka nis peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë procedure të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ, është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore”.

“Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, u shpreh Osmani.

Peticioni për shkarkimin e kryetarëve në veri, Lulëzim Hetemi: S’do të konkurroj më

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në një prononcim për media ka deklaruar se është i hapur të lëshojë rrugë në rast se përmbushet peticioni i nisur sot në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Tutje ai ka shtuar se nuk do të konkurrojë më në asnjë parë zgjedhje, kurdo që të mbahen ato.

“Do të punojmë në bazë të ligjeve, s’e kemi problem atë, s’kemi ka shkojmë. Nëse mblidhet nënshkrimi i peticionit s’e kemi problem hiq, largohemi normal. Nuk besojë se do të konkurrojë më”, ka thënë Hetemi.

Jabllanoviq: Peticioni është lojë e Albin Kurtit, kriza në veri do të thellohet edhe më shumë

Kryetari i Partisë së serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, në një prononcim për media ka deklaruar se situata që sot gjendet veriu i Kosovës është për faj të Listës Serbe dhe kryeministrit, Albin Kurti.

“Një situatë e tillë e vështirë në veri është për shkak të lëvizjeve thellësisht të gabuara të Listës Serbe në të kaluarën, si dhe vendimit për t’u larguar nga institucionet (PK, gjykata, prokuroria,…), është edhe kokëfortësia dhe urrejtja e serbëve ndaj Qeverisë së Albin Kurtit. Besoj se dorëheqja e “kryetarëve” jo legjitimë është e vetmja rrugë reale, e shpejtë dhe korrekte për zgjidhjen e krizës”, tha Jabllanoviq.

Anëtarët e Listës Serbe si Rakiq e Simiq e nënshkruajnë peticionin dhe iu ikin gazetarëve

Në mesin e atyre që shkuan për të nënshkruar peticionin ishin edhe krerët më të lartë të Listës Serbe, të rinj e të vjetër, të cilët njëzëri nuk ishin të gatshëm t’u përgjigjeshin pyetjeve të gazetarëve.

Peticioni është nënshkruar mëngjesin e sotëm nga krerët më të lartë të Listës Serbe. Menjëherë pas orës 9 ka mbërritur kryetari i kësaj partie, Zlatan Elek, si dhe Igor Simiq, Goran Rakiq, Dragisha Miloviq dhe Ivan Zaporozhaq.

Ata kanë nënshkruar peticionin “pa koment”, duke mos dashur të flasin për media, pavarësisht tentativave të shumta.

Peticioni në Veri, Gjoshi: Gjithçka po ndodh në koordinim mes Kurtit, Beogradit dhe Listës Srpska

Betim Gjoshi i PDK-së ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se është koordinuar me Beogradin e Listën Srpska për t’ia marrë mandatin kryetarëve shqiptarë.

“Fotografitë nga Mitrovica e Veriut, ku qytetarëve serbë të cilët po nënshkruajnë peticionin po u prijnë Goran Rakiqi e Igor Simiqi, janë dëshmi e qartë se gjithçka është në koordinim të plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin”.

“Do të mbahet mend përgjithmonë, se ky proces është i dirigjuar nga Beogradi dhe ka aprovimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit është zënë duke u koordinuar në prapaskenë me Listën Serbe e super kriminelin Milan Radojçiq. Kryeministër, nuk ka nevojë as për pyetje dhe as për sqarime. Gjithçka po duket e qartë si kristali: Ju jeni në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe. Kryeministër, fotografitë nga veriu i Kosovës tregojnë koordinimin dhe marrëveshjen tënde, që t’ia merrni mandatin kryetarëve që nuk janë të Listës Serbe”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët kanë filluar të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.

Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00, ndërsa në javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles