Organizata joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) e ka vlerësuar pozitivisht vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) për ta sfiduar kushtetutshmërinë e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme lidhur me çështjen e kuotës gjinore prej 30%.
Sipas DnV-së, kjo kuotë nuk mundëson garë të barabartë zgjedhore mes grave dhe burrave.
“Në fakt, prej shumë kohësh, DnV kishte konsideruar se kuota prej 30% nuk është në frymën kushtetuese të barazisë gjinore, si dhe nuk mundëson garë të barabartë zgjedhore mes grave dhe burrave. Partitë politike fatkeqësisht janë mjaftuar zakonisht me zbatimin e pragut minimal prej 30%, duke mos promovuar pjesëmarrje të barabartë të të dy gjinive”, ka thënë kjo OJQ.
Prandaj, DnV thotë se beson që modeli ‘zebër’ – ku çdo i dyti kandidat në listë është i gjinisë tjetër, “është zgjidhja që duhet ndjekur, në mënyrë që parimet dhe vlerat kushtetuese të barazisë gjinore të mishërohen edhe në legjislacionin zgjedhor”.
Po ashtu, DnV ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese trajtim meritor të kësaj kërkese brenda afateve sa më optimale kohore – “duke pasur parasysh që pjesa e dytë e këtij viti mund ta gjejë Kosovën me datë të zgjedhjeve të rregullta parlamentare”.
“Në këtë mënyrë, do të evitoheshin pasiguritë në lidhje me zbatimin e ligjit për zgjedhje sa i përket pjesës së listave të subjekteve politike”, deklaroi DnV.
Ditë më parë, IAP vendosi ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 28 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga IAP thuhet se dispozita e kontestuar (neni 28 Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) ka lënë përkufizimin e njëjtë nga ligji i kaluar, ashtu që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.