Osmani: Lajçak beson se shqetësimet për Asociacionin mund të akomodohen, s’ka shumë kohë, detajet teknike në Bruksel

Osmani: Lajçak beson se shqetësimet për Asociacionin mund të akomodohen, s’ka shumë kohë, detajet teknike në Bruksel

Presidentja Vjosa Osmani dje ia ka shpehur emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shqetësimet e saj lidhur me draft-statutin e propozuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo tha sot se shqetësimet e saj ua ka shprehur më herët edhe të gjitha shteteve që “kanë qenë të involvuara në hartimin e këtij drafti”. Osmani tha se Lajçak ka shprehur besimin se shumica e shqetësimeve të saj “do të mund të akomodohen”

“Sa i përket çështjes së draftit të statutit të Asociacionit, siç e dini, nga fillimi kur ai draft është prezantuar në Republikën e Kosovës, po në të njëjtën ditë i kam prezantuar disa prej shqetësimeve të mia për të gjitha shtetet që kanë qenë të involvuara në hartimin e këtij drafti. Njëkohësisht, pastaj këto komente dhe këto shqetësime i kam diskutuar më detajisht në takime të mëvonshme me zyrtarë të lartë të QUINT-it dhe këto i kemi diskutuar edhe dje me z. Lajçak. Ai ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin se shumica dërmuese prej tyre së paku, do të mund të akomodohen”, tha Osmani para gazetarëve, pas homazheve që bëri te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

“Megjithatë, unë mendoj që institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendosë për përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe do të mund t’i jep drejtim se si mund të zbatohen në praktikë, pa u shkelur Kushtetuta e Kosovës, këto dispozita, është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë dhe jam e bindur që kurdo që ky draft, pas formalizimit të marrëveshjeve – shkon në Gjykatën Kushtetuese, në atë moment, secili prej nesh si institucione do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona pse mendojmë që dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit”, shtoi Osmani.

Ajo tha se është “e bindur” detajet teknike “do të determinohen në takimet e ardhshme në dialog ndërmjet kryenegociatorëve”. Por ajo kujtoi se “nuk ka mbetur edhe shumë kohë për shkak se z. Lajçak ka edhe pak muaj mandat, sepse siç e dini, janë edhe zgjedhjet në Bashkimin Europian”.

“Pas zgjedhjeve pastaj janë emërimet e reja të komisionerëve, përfshirë edhe të përfaqësuesve të lartë. Unë nuk mund të paragjykoj se kush do të jenë ata, por si rregull, mandati i tij është edhe disa muaj, deri diku në verë, por për datën e saktë besoj mund të përgjigjen ata”, tha Osmani.

Related Articles