Hetimi me masa të fshehta që ka nisur rreth një muaj më parë lidhur me një rast të shantazhit që dyshohet se ka ndodhur në Skenderaj ka rezultuar me sigurimin e provave për përfshirjen e një 34-vjeçari në këtë rast.
I dyshuari Tafil Smajli i cili është pronar i disa faqeve që merren me lajme ka përfunduar në prangat e Policisë, gjatë ditës së mërkurë.
Ndaj tij, Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është aprovuar nga Gjykata.
Pas seancës dëgjimore, i dyshuari Smajli është dërguar në praburgim në kohëzgjatje prej një muaji.
Smajli u arrestua nga policia rreth një muaj pasi u denoncua nën dyshimet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kushtëzuar viktimën duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të një materiali që ka poseduar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije bëhet fjalë për një video, që prish imazhin dhe integritetin e viktimës, për të cilën Smajli dyshohet se kishte kërkuar hiç më pak se 10 mijë euro që mos ta publikojë në faqet e tij “Prishtina Sot” dhe “Skenderaj Press”.
Pas raportimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ku ndër të tjera janë aplikuar edhe masat e fshehta, që çuan në arrestimin e të dyshuarit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.