Osmani pas takimit me ministrin gjerman: Gjermania është partnere besnike e Kosovës

Osmani pas takimit me ministrin gjerman: Gjermania është partnere besnike e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Në konferencën e përbashkët për media, e para e shtetit tha se Gjermania është partnere besnike, aleate tradicionale dhe historike e Republikës së Kosovës.

“Gjermania ka qëndruar pranë nesh jo vetëm gjatë periudhave të rënda por edhe në procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit dhe vazhdon të jetë aleat i yni i fortë, përderisa vazhdojmë forcojmë demokracinë tonë dhe pozitën tonë ndërkombëtare. Ndaj shteti i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

“Bashkë diskutuam çështjet e interesit të ndërsjellë, me theks të veçantë se si shtetet tona mund të avancojnë edhe më shumë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kosova mbetet e përkushtuar që krahas aleatëve të saj të vazhdojë të ndërtojë ushtrinë e saj me standarde të larta të NATO-s në një forcë moderne e cila është e gatshme të mbrojë shtetin tonë dhe poashtu të vazhdojë të kontribuojë në misione të ndryshme paqeruajtëse në botë. Tani është koha që Kosova t’i bashkohet partnerëve të saj si anëtare e NATO-s duke filluar me partneritetin për paqe. Një hap i tillë do të ndikonte pozitivisht në sigurinë, paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Osmani poashtu foli edhe për sulmin terrorist ndaj Kosovës të udhëhequr nga Serbia, duke thënë se për t’i parandaluar sulmet e tilla, vendi ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë sikurse edhe aleatëve të tjerë.

“Sulmi terrorist i 24 shtatorIT ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor. Hetimet zyrtare konfirmojnë se prapa këtij sulmi qëndron Serbia dhe institucionet e saj nga organizimi te furnizimi me armatim e pajisje. Sot në vend se Serbia t’i ekstradojë terroristet vazhdon t’i inkurajojë ata për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, përderisa për fat të keq Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga Bashkimi Evropian”, tha Osmani.

Tutje, presidentja tha se suksesi i Kosovës është dëshmia më e mirë e angazhimit gjerman në Kosovë dhe për Kosovën.

Related Articles