Njësia e Krimeve Kibernetike e Policisë Rajonale në Gjilan ka zhvilluar një aksion lidhur me një rast të denoncuar në janar dhe si rezultat ka arrestuar një person. U raportua dje se i dyshuari 19-vjeçar ka përfunduar në ndalim policor dhe ndaj tij tashmë kërkohet masa e paraburgimit pas ndalimit prej 48 orësh.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari që u arrestua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” është Lindgzim Bislimaj.
Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore e Gjilanit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Si ndodhi rasti?
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në ditët e para të janarit dhe viktimë është një vajzë 26-vjeçare, fotografitë e së cilës dyshohet se janë shfrytëzuar nga i dyshuari përmes rrjeteve sociale Telegram dhe Whatsapp.
Pas denoncimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorinë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe si rezultat është lokalizuar vendndodhja e të dyshuarit dhe i njëjti është arrestuar.
I njëjt me vendim të Prokurorit është në masën e ndalimit prej 48 orësh, njoftoi dje Prokuroria Themelore në Gjilan.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan ndaj të pandehurit L.B., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’’, nga neni 202 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 14 Janar 2024, në Gjilan, i pandehuri L.B., me dashje dhe pa autorizim ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës, ashtu që fillimisht përmes numrit të tij të telefonit në aplikacionin ‘’WhatsApp’’, ka kanosur të dëmtuarën se nëse e njëjta nuk kryente veprime sipas dëshirës së tij, do t’ia publikonte fotografitë nudo, ku pasi që e njëjta nuk iu kishte bindur kërkesës së tij, i pandehuri i kishte shpërndarë fotografitë në rrjetin social ‘’Telegram’’”, njofton Themelorja e Gjilanit.