Nëse ka një fjalë që mund ta karakterizonin më së miri Cristiano Ronaldo-n ajo është “rekorde”. Brenda dhe jashtë fushës së blertë. Sulmuesi i Portugalisë u bë para pak ditësh njeriu me më shumë ndjekës në Instagram, mbi 300 milionë, duke vërtetuar se është një ikonë e futbollit, por shumë më tepër.
Vetëm pak muaj më parë ai u bë njeriu i parë që grumbullonte mbi 500 milionë ndjekës në të gjitha rrjetet sociale, si Instagram, Facebook dhe Twitter.
Ndërsa sot, vetëm një llogari në Instagram ka më tepër ndjekës sesa Ronaldo, llogaria e vetë Instagram, që ka 397 milionë ndjekës.
36-vjeçari lë pas në këtë renditje figura të njohura të botës së spektaklit. I dyti në listë është aktori Dwayne ‘The Rock’ Johnson, me “vetëm” 246 milionë ndjekës. Ndërsa rivali më i madh i portugezit në fushë, Leo Messi, ka 81 milionë ndjekës më pak në Instagram.
Në vend të tretë është këngëtarja Ariana Grande me 244 milionë ndjekës, e pasuar nga Kylie Jenner me 241 milionë. Selena Gomez dhe Kim Kardashian vijojnë listën, me 238 dhe 229 milionë ndjekës respektivisht./Gazeta Enigma/