BQK nuk ka shtyrë afatin e zbatimit të rregullores, as nuk ka dhënë afat shtesë, as nuk ka ndryshuar rregulloren e saj, thotë Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se BQK-ja nuk e ka shtyrë afatin e zbatimit të Rregullores e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.
Ai tha se BQK-ja nuk ka dhënë as afat shtesë e as nuk e ka ndryshuar Rregulloren e saj.
“Me lejoni t’ju informoj se BQK nuk ka shtyre afatin e zbatimit te rregullores, as nuk ka dhënë afat shtese, as nuk ka ndryshuar rregulloren e saj. Plani qe kemi publikuar vetëm lehtëson efektet e saj tek komuniteti serb, përkatësisht mundëson rritjen e qasjes në financa dhe shërbime financiare”, ka thënë ai në Dukagjini.
Ai ka shtuar veprimet e planifikuara për këtë qëllim do të ndërmerren nga BQK-ja.
“Veprimet e planifikuara për këtë qellim do te ndërmerren nga BQK dhe institucionet financiare çdo dite brenda 3 muajsh, por nuk është dhënë asnjë afat shtese dhe rregullorja është në fuqi nga data 1 shkurt”, shtoi më tej ai.
BQK-ja tha se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.
Institucioni financiar më i larti në vend njoftoi opinionin publik lidhur me planin me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.
Plani i ri Bankës Qendrore kosovare vjen pas kritikave të shumta nga bashkësia ndërkombëtare ndaj autoriteteve kosovare pse nuk e kishin shtyrë afatin për zbatim të rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.
BQK-ja njoftoi se ka marrë një sërë masash lehtësuese për serbët e Kosovës në katër komunat veriore, përfshirë duke hapur një linjë telefonike falas (0800-222-55), një e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’.
Ndër masat lehtësuese që ajo ka ndërmarrë janë lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, “për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”.
Ajo tha se do të ofrohen shërbime bankare, si hapja e llogarive, në mënyrë mobile nga bankat komerciale në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve, si dhe do të vendosen disa bankomatë (ATM) dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike, apo vet-shërbime financiare.
Gjithashtu, tha ajo, do lehtësohet këmbimi i dinarëve në euro nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara.
Për këtë çështje serbët e Kosovës protestuan të hënën në Mitrovicën e Veriut.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002.